E hoqën nga puna, 57-vjeçarja: Të paktën të marr asistencën sociale
Programi “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e 57-vjeçares, Shemshije Hoxha. Ajo në studio rrëfeu se u pushua nga puna, në rrobaqepsinë në të cilën punonte.
Për shkak se nuk kishte punë si pasojë e pandemisë, pronari u detyrua të reduktojë numrin e punëtorëve.
Arriti të merrte pagën e luftës, por tani i duhet të gjejë një tjetër punë për të mbajtur familjen e saj. Pavarësisht se ka shkuar disa herë në zyrën e punës, për të nuk është gjetur ende asnjë vend pune.
Madje Shemshijes i thanë se nuk përfiton as asistencë sociale.
Shemshije Hoxha: Unë isha në rrobaqepsi në Shkozet, por na hoqën për faktin se ishte koha e virusit, e s’kishte punë rrobaqepsia. Edhe na tha pronari, s’ka. Kur s’ka punë dhe ai çfarë do bëjë, edhe na hoqi.
Mirela Milori: Sa vjet punove atje?
Shemshije Hoxha: Punova rreth 4 vite!
Mirela Milori: U mbyll biznesi?
Shemshije Hoxha: Po!
Mirela Milori: Ti e përfitove pagën e luftës?
Shemshije Hoxha: Po pagën e përfitova, e mora. Më pas shkova të kërkoj punë, s’kishte punë. Kam shkuar 2-3 herë tek zyra e punës. Herën tjetër i thashë aty tek dera, se brenda nuk na lejojnë të na fusin, të më gjejnë një punë diku pastruese. Ai tha jo se s’kemi punë tani, s’kemi vende, edhe e lamë. Shkova në 27, tani mbas Bajramit edhe më tha mua, ti do e kishe përfituar, por ke ardhur dy ditë me vonesë,
Mirela Milori: Për cfarë?
Shemshije Hoxha: Asistencën! Të paktën thashë asistencën, se s’kemi të ardhura.
Mirela Milori: Para se të shkojmë tek asistenca, u pushua gjithë stafi apo u reduktua?
Shemshije Hoxha: U pushuan 12 veta, të tjerët nuk e di a janë pushuar.
Mirela Milori: Kërkove të kontaktoje me ta se mbase…?
Shemshije Hoxha: S’kemi punë, s’ka ardhur, s’kanë faj, se ju vinte punë nga Italia. Ekonomistja na rregulloi, domethënë i morëm ato lekët dhe tha kërkoni punë se këtu s’ka.
Mirela Milori: Më the që shkove në Bashki, me zyrën e punës të Bashkisë apo me kë ke kontatuar?
Shemshije Hoxha: Unë shkova tek zyra e punës dhe atë ditë kur më tha nuk e përfiton, edhe unë rrugës u ktheva tek Bashkia. Bashkia tha ti nuk ke çfarë të kërkosh, shko tek zyra e punë. Zyra e punës tha nuk kam punë, nuk të takon, edhe asistenca na humbi. Tani as asistencë, pa rrogë, 4 vjet punova dhe asgjë s’mora. Të paktën asistencën të na japin, të paktën diçka na ndihmon ai./tvklan.al