E kishte parandierë rrezikun, adoleshentja gjendet e vdekur
Trupi i një vajze, i gjetur në një fermë në veri të Denver, në Kolorado të SHBA, është identifikuar si i 19-vjeçares që kohët e fundit kishte pohuar se po përndiqej nga një burrë. Natalie Bollinger, e cila u pa për herë të fundit në shtëpinë e saj në Broomfield, u raportua se mungonte nga familja e saj më 28 Dhjetor 2017.
Policia nuk ka deklaruar shkakun e vdekjes, por po e heton atë si vrasje. Dy javë para se Bollinger të zhdukej, asaj i ishte siguruar një urdhër mbrojtjeje kundër një përndjekësi që përbënte rrezik për të.
Në një postim në Facebook, Bollinger deklaroi se përndjekësi i saj ishte 42-vjeçari Shawn Schwartz, një burrë të cilin ajo e kishte pasur mik dy vjet më parë. Ajo shkroi se burri i kishte dërguar asaj qindra mesazhe dhe telefonata kur ajo i kishte thënë që nuk donte t’i fliste më.
Në faqen e tij në Facebook, Schwartz shkroi se u kishte thënë hetuesve se ai nuk kishte të bënte me vdekjen e adoleshentes dhe se ishte i pafajshëm./tvklan.al