“E lanë të vdesë…”
Me pankarta në duar dhe thirrje si “duam drejtësi” apo “e lanë të vdesë”, familjarë të 25-vjeçares Rexhina Debrova kanë dalë këtë të enjte para Maternitetit të Elbasanit për të kërkuar drejtësi për vdekjen e saj. Në protestë dolën edhe shumë qytetarë, të cilët iu përgjigjën ftesës së familjarëve. Këta të fundit fajësojnë mjekët e spitalit për humbjen e njeriut të tyre të dashur. 25-vjeçarja ndërroi jetë 1 orë pasi lindi vajzën.
“Nuk e dimë, ndoshta vajza do të jetonte, por ngaqë nuk kishte ndihmë, ndodhin këto raste… i ndodhi vajzës tonë fatkeqësia, por ngaqë nuk pati ndihmë nga doktori”,
shprehen mes lotëve e zemërimit familjarët
.
“Ne nuk vrasim siç vranë ata, të dalin frikacakët, nuk jemi vrasës si ju”,
thonë ata.
Të gjithë njëzëri, ata kërkojnë drejtësi.
Të mërkurën, Gjykata e Elbasanit la në “detyrim paraqitje” dy mjekët Mehmet Ibaj dhe Niko Thana, deri në përfundim të ekspertimit mjeko-ligjor. Ata i kanë mohuar akuzat për mjekim të pakujdesshëm dhe thonë se 25-vjeçarja ndërroi jetë pasi pësoi komplikacion postoperator.
Por familjarët e gruas bëjnë fajtorë pikërisht mjekët. Edhe të mërkurën, gjatë kohës që në gjykatë zhvillohej seanca ndaj tyre, bashkëshorti dhe familjarë të tjerë të së ndjerës, teksa mbanin në duar foshnjen e saj, protestuan e kërkuan drejtësi jashtë godinës së gjykatës.
Ndërkohë në një postim në rrjetet sociale një ditë më parë, bashkëshorti i 25-vjeçares e cilëson vdekjen e saj vrasje.
“Miqtë e mi ..përtej dhimbjes që po kaloj nga humbja e njeriut më të mrekullueshëm që kam njohur në jetë, bashkëshorten time.. Ju njoftoj se ditën e nesërme në orën 10:00 mblidhemi para spitalit për të bërë një homazh për REXHINEN… Dhe për shpirt të Rexhinës të dalë e vërteta e (vrasjes së Rexhinës në sallën e operacionit…”,
shkruan ai.
/tvklan.al