E pazakontë! 31-vjeçari bie nga 30 metra mbi një BMW dhe shpëton vetëm me një thyerje dore
Një burrë ka rënë 30 metra nga një ndërtesë 9-katëshe dhe ka përfunduar mbi një makinë të parkuar. Ai shpëtoi mrekullisht vetëm një krah të thyer. 31-vjeçari u ngrit menjëherë nga automjeti i dërrmuar dhe pyeti një kalimtar se çfarë ndodhi.
Kjo ngjarje e çuditshme ndodhi në Jersey City, në SHBA, në orën 10.20 të së mërkurës dhe tronditi 21-vjeçaren kalimtare Christina Smith, e cila ishte duke shkuar në një McDonald’s.
“Dëgjova një bum të madh dhe nuk mendova se ishte një person në fillim. Dritarja e pasme e makinës shpërtheu dhe ai filloi të bërtiste, krahu i tij ishte i përdredhur. Isha e tronditur dhe mu duk si ngjarje nëpër filma”, tha Smith për New York Post.
Pasi u rrëzua, burri e pyet vajzën se çfarë ndodhi dhe ajo i përgjigjet se ai sapo është rrëzuar nga lartësia.
Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe sipas mjekëve ai nuk është ende në një gjendje të stabilizuar. Sipas New York Post burri nuk punonte në ndërtesë dhe është e paqartë se si ai u gjend atje. Sipas një burimi, burri nuk pranoi t’i jepte emrin e tij policisë dhe nuk ishte aspak bashkëpunues me ta. /tvklan.al