
E reja nga Elbasani zgjedh fustanin te “Rudina” (Video)
Historia e tyre e dashurisë ka nisur në Shtator të vitit 2014 në qytetin e Elbasanit, atje ku Denisa Jazxhi u lind dhe u rrit. Benard Biba, djali që i rrëmbeu zemrën, në atë kohë jetonte në Tiranë, por shkonte shpesh në Elbasan pasi ishte rritur në këtë qytet dhe kishte shoqërinë.
Elbasani është një qytet i vogël dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe që Denisa me Benardin të mos kishin njohje të përbashkëta. Shumë shpejt ata u bënë shokë të ngushtë. Takimet e tyre u bënë shumë të shpeshta dhe tashmë prej kohësh të dy bashkëjetojnë në Tiranë. Të dy duken shumë të lumtur dhe mezi presin ditën më të lumtur që dashurinë e tyre që ta kurorëzojnë në martesë.
Denisa Jazxhi ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të zgjedhur fustanin e bardhë të nusërisë dhe për ta ndarë këtë emocion me të gjithë. Ajo tregoi se dasma e tyre do të celebrohet më 12 Maj dhe se bashkë me të fejuarin e saj kanë zgjedhur Maqedoninë për të mbajtur këtë ceremoni.
“Benardi më ka propozuar për ditëlindjen time. Më tha se do të vinte në Elbasan vetëm për të më uruar. U surprizova, sepse më dhuroi edhe një buqetë me lule, më shprehu edhe ndjenjat dhe aty nisi gjithçka. Kemi vendosur të martohemi në Maj. Jemi gjithë kohën duke diskutuar për organizimin e dasmës. Nuk jemi shumë për një dasmë tradicionale me shumë njerëz, do të jetë më private dhe kemi vendosur ta bëjmë në Maqedoni. Lidhur me fustanin kam qenë shumë në dilemë dhe akoma jam. Më pëlqejnë të dy stilet, edhe princeshë, edhe stili elegant”
, tha Jazxhi.
Në fund të emisionit, Denisa Jazxhi zgjodhi për të veshur në ditën e saj të dasmës një fustan të bardhë stil princeshe, i cili dukej si i qepur për të.
/tvklan.al