Edi Rama fushatë me njësinë 10 te kinema “Milenium” – (10 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
I shoqëruar nga vajzat e stafit të tij elektoral, Edi Rama ka zgjedhur kinema “Milenium”, sot pasdite për takimin me zgjedhësit e zonës 10 në kryeqytet. Mira Veizi, kandidate për kryetare të minibashkisë nr.10, një doktoreshë e njohur, u prezantua me moton “Të qeverisim së bashku, t’u shohë në sy dhe të më shihni në sy”.
Pas përshëndetjes dhe të kryesocialistit të Tiranës Ulqni, foli dhe kandidati për kryebashkiak i Tiranës Edi Rama. Vij në zonën tuaj, tha Rama, pikërisht për të kërkuar votën e lirshmërisë qytetare ndaj barbarizmit urban, të 8 viteve të fundit.
Edi Rama:- “Në orët e vona të natës së djeshme, isha ftuar në një emision radiofonik dhe pata fatin të bisedojë në telefon me Klarën, një vajzë 20-vjeçare simpatizante e PD, e cila më tha se do të votonte për mua, duke më uruar me gjithë shpirt fitoren. Pyetjes time sepse nuk votonte për PD, Klara me një zë të trishtuar iu përgjigj, duke thënë se e donte PD, por jo elementët në krye të saj. Unë e garantova Klarën se askush nuk do të dalë i humbur me fitoren time”.
Askush nga ne tha Rama, nuk e ka të ardhmen të sigurt me një opozitë moralisht të degraduar si ajo e selisë blu.
Edi Rama:- “Unë e ftojë ambasadorin Besnik të doktor rrumpallës, të çohet nga kafeneja e tij me ajër të kondicionuar e të shkojë tek tregu i madh tek Medreseja ku unë isha sot paradite. E ftoj ambasadorin, të zbres në atë zonë ku njerëzit e nxjerrin bukën e gojës duke kapërcyer gropa e kanale”.
Votoni për mua, tha Rama, dhe së bashku do ta bëjmë Tiranën të bukur. Më pas ai është takuar personalisht me qytetarët dhe sërish i shoqëruar nga stafi i tij, Rama ka hipur në furgonët që reklamojnë atë për kryebashkiak të Tiranës, duke u nisur drejt selisë së tij./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj