Edi Rama: Kur Mustafaj adhuronte Enver Hoxhën, unë adhuroja Dervishin e Nuzhës (15 Shtator 2000)


Edi Rama: Kur Mustafaj adhuronte Enver Hoxhën, unë adhuroja Dervishin e Nuzhës (15 Shtator 2000)

15:24 15/09/2000

Besnik Mustafaj po përsërit tezat e Edi Ramës për Tiranën dhe po imiton elementët e imazhit të fushatës së tij elektorale. Është vetë kandidati për Bashkinë e Tiranës Edi Rama që e ka kritikuar kundështarin e tij Mustafaj në takimin me banorët e zonës numër 5 në qendrën ndërkombëtare të kulturës.

“Dje, rivali im, i cili pretendon se do më japë mua një leksion demokracie, u dha të gjithë qytetarëve të Tiranës një shembull miserabël duke shpifur ndaj meje dhe duke vënë në gojën time, diçka që unë nuk e kam thënë kurrë lidhur me vëllezërit malësorë të ardhur në Tiranë gjatë viteve të tranzicionit. Ai shpifi. Unë as kam shpifur ndonjëherë dhe as kam ndër mend të shpif as kundër tij dhe as kundër askuj, por këtij provokacioni të tij duhet të përgjigjem sot gjithsesi duke thënë se në kohën kur ai në fund të viteve ’80 adhuronte akoma Enver Hoxhën, unë adhuroja Dervishin e Nuzhës. Prandaj, ambasadori Besnik i “doktor rrumpallës” sado keq që ti vijë nga ky përkufizim, bën mirë të mos e kalojë këtë shtator pa mësuar nga unë dhe ndonjë gjë tjetër të vlefshme se sa ajo se si bëhet fushata elektorale.”/tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame






Të ngjashme