Edi Rama uron për ditëlindje sozinë e tij
Aktori i njohur i humorit Florjan Binaj ditën e sotme feston 35-vjetorin e tij. Mes urimeve të shumta që ka marrë nga miqtë dhe fansat e tij, nuk ka munguar as urimi i kryeministrit Rama, i cili prej vitesh është imituar nga aktori dhe mesa duket kjo gjë i ka pëlqyer. Ai i uron sozisë së tij të ketë shëndet, forcë krijuese dhe çdo mirësi e mbarësi për veten dhe të dashurit e tij.
Florjan Binaj është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!
Nuk i kam kuptuar kurrë politikanët e udhëheqësit kur mërziten, e nganjëherë tërbohen nga vënia e tyre në lojë prej komedianëve e karikaturistëve, të cilët kur janë të zotë si Flori e si djemtë e vajzat e Portokallisë, si Sajmiri i Fiksit e i Stopit apo babai i të gjithë brezit të tyre, Agron Llakaj ose Bujar Kapexhiu i vizatimeve satirike, janë një lezet i madh për jetën publike dhe një burim energjish pozitive për konsumatorët e artit të tyre. Arti i tyre ka pasur e ka një fuqi të butë emancipuese e lehtësuese tek ata që i ndjekin dhe Flori është mes atyre që e meritojnë t’u heqësh kapelen, për faktin domethënës se nuk bie në vulgaritetet tipike çedukative të disave brenda atij lloji.
Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë”, ka shkruar kryeministri Rama në një postim në Facebook. /tvklan.al