Ekonomia vijon tkurrjen, -3.47% rritja ekonomike në Korrik-Shtator
Për herë të parë në pandemi rritet industria dhe ndërtimi
Shqipëria është futur zyrtarisht në recesion zyrtar. Edhe në tremujorin e tretë të vitit ekonomia u tkurr me 3.47% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s, duke plotësuar një vit të plotë që rritja ekonomike është në territor negativ.
Sipas Institutit të Statistikave, në këtë periudhë ecuria e ekonomisë është ndikuar nga situata e Covid, ku goditjen më të madhe e kanë patur tregtia, transporti dhe hotelet me 13% rënie, aktivitet shkencore e teknike me 16.6% tkurrje, artet dhe argëtimi me minus 9.9% dhe informacioni u tkurr me 2.4%.
Periudha Korrik-Shtator ka ringjallur për herë të parë gjatë pandemisë sektorin industrial. Industria nxjerrëse ka rezultuar me rritje, edhe pse modeste në nivelet 0.78% dhe po ashtu dhe bujqësia ka patur një rritje të lehtë me 0.03%.
Ndërtimi dhe aktivitetet e pasurive të patundshme janë rritur me normat më të larta në këtë periudhë, përkatësisht 8.7 dhe 9.5%.
Në këtë periudhë në kontrast me atë të karantinës, disa sektorë të ekonomisë kanë performuar me rritje, edhe pse konsumi rezulton më i ulët se një vit më parë, me një normë rënëse 3.8%.
Pavarësisht kësaj ritmi i tkurrjes së konsumit është më i ulët se në tremujorin e dytë, duke dhënë sinjale optimiste për një rigjallërim të aktivitetit ekonomik.
Tv Klan