Ekskluzive/ Nuland për Tv Klan: Miratoni propozimin hibrid
Ndihmës/Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, e angazhuar personalisht në miratimin e Reformës në Drejtësi, u bëri thirrje palëve politike që ta miratonin propozimin hibrid të propozuar prej saj gjatë vizitës në Tiranë.
E pyetur nga Televizioni Klan lidhur me mesazhin që ajo i jep popullit shqiptar përpara këtij votimi të rëndësishëm, zonja Nuland tha se ajo duhet votuar, pasi kjo reformë i duhet Shqipërisë. Nëse palët politike nuk bien dakord për kalimin me konsensus, ajo u bën thirrje deputetëve ta votojnë individualisht.
“Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht kemi qenë për një kohë të gjatë mbështetës të demokracisë shqiptare. Shqipërisë i duhet kjo reformë. U bëj thirrje patriotëve shqiptarë të mbështesin propozimin hibrid që unë përkraha gjatë vizitës sime. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shpresojnë se udhëheqësit politikë do t’i zgjidhin dallimet që kanë dhe të bashkohen përreth propozimit hibrid. Nëse nuk munden, përgjegjësia do të jetë e deputetëve individualisht që të votojnë në favor të reformave që po kërkojnë 91 përqind e shqiptarëve”.
Thirrja e zonjës Nuland iu drejtua krerëve të politikës dhe deputetëve, përpara se palët të arrinin një vendim, vendim ky i bazuar në propozimin e saj hibrid.
Tv Klan