Ekspertët britanikë: Testi i antitrupave, ende i pasigurt
“Koronavirusi ka mjaft të panjohura”
Vende të ndryshme të Europës dhe Shtetet e Bashkuara synojnë që përmes këtyre testeve të identifikojnë individët që kanë nivel të mjaftueshëm antiantitrupash në gjak.
Testet përcaktojnë po ashtu nëse persona të ndryshëm e kanë kaluar infektimin pa simptoma. Në këtë mënyrë, ata që rezultojnë me një sistem të fuqishëm imunitar do të lejohen të rikthehen në punë. Ndërsa më të dobëtit duhet vazhdojnë të qëndrojnë në izolim, deri kur të zbulohet një vaksinë e sigurtë.
Por disa ekspertë britanike shprehen skeptikë për BBC mbi efektshmërinë e masave që bazohen në këto teste. Sipas tyre, ato nuk tregojnë nëse individët janë të mbrojtur ndaj rrezikut të riinfektimit. Por edhe nëse niveli i antitrupave është i mjaftueshëm tek persona të ndryshëm për t’u mbrojtur ndaj infektimit, viruset që ata mbajnë në trupin e tyre mund të përcillen dhe të infektojnë të tjerët.
Ata pranojnë megjithatë se testet e antitrupave po ndihmojnë OBSH-në për të përcaktuar numrin real të personave të prekur nga koronavirusi, me apo pa simptoma.
Ekspertët shprehen se COVID-19 është një virus i panjohur, që ka pak muaj që qarkullon dhe se ka akoma shumë pikëpyetje mbi mënyrën e sjelljes së tij. Nevojiten studime edhe më të thelluara për të përcaktuar mënyra të sakta, për reagimin dhe mbrojtjen e njerëzve përballë tij.
Tv Klan