Ekspertët e Këshillit Kombëtar të RTV vizitojnë TV Klan – (5 Nëntor 2000)


Ekspertët e Këshillit Kombëtar të RTV vizitojnë TV Klan – (5 Nëntor 2000)

10:06 05/11/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Grupi i ekspertëve të Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve, kanë parë nga afër ambientet e TV Klan. Në hyrje të këtij televizioni, ekspertët janë pritur nga Drejtori i Përgjithshëm Aleksandër Frangaj. Ai i ka njohur ekspertët e Këshillit Kombëtar të RTV, me projektet dhe investimet e TV Klan, përsa i përket strukturës programore dhe mbulimit me sinjal të 75% të territorit të vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i TV Klan Aleksandër Frangaj, i ka informuar ekspertët e KKRT, me kontratat e nënshkruara me Eurovizionin, agjencinë Reuters e Zërin e Amerikës. TV Klan zotëron të drejtat ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve të Kampionatit Italian të Futbollit, si dhe të Kupës së Kampioneve. Ekspertët e KKRT janë njohur me pajisje bashkëkohore në studiot e montazhit dhe të transmetimit.

Në sajë të studios lëvizëse, çdo javë teleshikuesit ndjekin drejtpërsëdrejti në TV Klan, spektaklin “E diela me ju”, nga teatri i Rubairave. Në projektet ambicioze të TV Klan, pas licencimit për transmetim kombëtar është transmetimi për 24 orë në satelitë. Në studion e re televizive të TV Klan, do të nis së shpejti transmetimi i konkursit të këngës popullore, drejtpërsëdrejti në ekranin e TV Klan, televizioni pretendent kryesor për licencë kombëtare./tvklan.al

Gazeatar – Vladimir Lame






Të ngjashme