Ekspertët: Izolimi mund të bllokojë tregjet për fruta-perime
Vështirësi në lëvizjen e punëtorëve sezonalë dhe mallrave
Izolimi i qyteteve për shkak të karantinës nga koronavirusi mund të shkaktojë probleme të mëdha në furnizimin e tregjeve europiane me fruta e perime gjatë muajve në vijim. Kjo situatë paralajmëron rritje drastike të çmimeve.
Ekspertët e lidhur me Forumin Ekonomik Global japin disa arsye pse në shumë supermarkete të kontinentit, konsumatorët do të ndjejnë mungesën e këtyre ushqimeve. Sipas tyre, një nga arsyet kryesore është ndalimi i hyrjes së emigrantëve nga jashtë kryesisht nga vendet Afrikës, nga frika se shumë prej tyre mund të jenë bartës të COVID-19. Këto vende nuk garantojnë sigurinë shëndetësore të shtetasve të tyre.
Një ndër rastet konkrete është Spanja, që këtë sezon priste hyrjen e 16 mijë mbledhësve të luleshtrydheve nga Maroku. Por masat e ashpra të bllokimit të kufijve kanë lejuar me vështirësi hyrjen e më pak se gjysmës së tyre. Disa shtete europiane po shqyrtojnë mundësinë e marrjes së punëtorëve nga Europa Lindore.
Bllokimi i pikave kufitare ka rritur jashtë mase kostot e transportit. Rënia drastike e numrit të fluturimeve i ka shkaktuar Afrikës së Jugut shtimin me 300% të kostos së fluturimeve për mallrat që eksporton ky vend drejt Europës. Distancimi social krijon probleme për akomodimin e punonjësve sezonalë të grumbullimit të prodhimeve në tokat e punuara dhe pemishte. Në Britaninë e Madhe rrezikon që prodhimi mos mblidhet deri sa të plotësohet kërkesa për punësimin e 90 mijë punonjësve sezonalë.
Për momentin rrjetet e mëdha të supermarketeve europiane thonë se kanë rezerva të frutave dhe perimeve. Por nëse masat e jashtëzakonshme zgjasin rrjetet e furnizimit do t’u japin përparësi tregjeve lokale, ndërsa vendet e tjera do të ndjejnë mungesën e frutave dhe perimeve nga importi.
Tv Klan