Ekspertët kërkojnë zbutje të taksimit të punës


Ekspertët kërkojnë zbutje të taksimit të punës

16:40 06/09/2020

“Po taksohet shtresa e mesme më shumë se bizneset”

Ekspertët e ekonomisë kërkojnë që qeveria të rishohë dhe njëherë politikën e taksimit të punës. Për profesorin e ekonomisë Selami Xhepa, edhe në momentin që taksa e të ardhurave personale është progresive, ajo nuk duhet të dekurajojë individët që të punojnë duke i taksuar njëherë në burim, dhe njëherë gjatë plotësimit të deklartës vjetore të të ardhurave për ata që janë të dypunësuar ose që realizojnë të ardhura më të larta se 2 milionë Lekë në vit.

Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale, thotë se reforma e taksimit progresiv nisi në vitin 2014, por u la në mes, ndërsa vendi ynë rezulton me barrën më të lartë fiskale mbi punën nëse krahasohet me vendet e rajonit, çka e bën atë jo konkurrent.

Ekspertët sqarojnë se në rastin kur individi taksohet për pagën 23%, biznesi taksohet për të njëjtat të ardhura 15%, madje i njihen dhe shpenzimet për efekt tatimi. Ata thonë se taksa 23% për pagat mbi 150 mijë lekë takson shtresën e mesme dhe jo të pasurit.  

E pyetur për këtë çështje nga televizioni Klan, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se qeveria nuk do të heqë dorë nga progresiviteti as në programin e saj për një mandat të 3-të, por pa zbuluar nëse do të ketë një zbutje të taksës mbi pagën në të ardhmen.

Tv Klan






Të ngjashme