Ekspertizë mjeko-ligjore dhe në Shqipëri për 29-vjeçarin Pëllumb Marnikollaj


Ekspertizë mjeko-ligjore dhe në Shqipëri për 29-vjeçarin Pëllumb Marnikollaj

15:36 14/08/2016

Familja Marnikollaj në Rrilë të Lezhës ka hapur dyert e zisë, për të pritur ngushëllime për humbjen e djalit të saj në mënyrë misterioze, në një komisariat në Greqi. Familjarët pretendojnë se i riu është vrarë brenda ambienteve të  komisariatit.

Miq të afërm dhe banorë të zonës, i kanë shprehur ngushëllime familjes Marnikollaj.

Mbrëmjen e së shtunës, trupi i viktimës ka mbërritur në Shqipëri, ku sipas informacioneve nga familja i është nënshtruar një ekspertize mjeko-ligjore edhe në Morgun e QSUT-së për të zbardhur të vërtetën.

Djali i xhaxhait të 29-vjeçarit, Besnik Marnikollaj konfirmoi për Televizionin Klan, se ka qenë vëllai i viktimës  Artani, që me ndihmën e një avokateje greke ka arritur të gjejë trupin e Pëllumbit me datën 12 Gusht në varrezat e “Agio Anargioro” në Athinë për të cilin policia greke fillimisht ka mohuar të kishte dijeni.

Sipas tij, policia greke ka refuzuar të bashkëpunojë. Kontaktet me Pëllumbin familja i kishte humbur që në orën 1 të datës 3 Gusht, ku 29-vjeçari ishte paraqitur në fillim të muajit sipas urdhërit të gjykatës për të firmosur.

Familja pretendon se autoritet greke kanë dashur ta varrosin sa me shpejt për të humbur gjurmët, në shkelje të hapur të afatit ligjor grek prej 30 ditësh, që kufoma duhej të mbahej deri sa të vinin të afërmit.

Besnik Marnikollaj rrëfen se në trupin e kushëririt të tij vërehen shenja të shumta dhune, që mund t’i jenë shkaktuar nga policët grekë.

Varrimi i Pëllumb Marnikollajt do të bëhet të hënën në orën 11:00. 

Tv Klan






Të ngjashme