Eksploziv dhe armë në shtëpinë e snajperistit


Eksploziv dhe armë në shtëpinë e snajperistit

07:30 09/07/2016

Materiale prodhimi bombash, pushkë dhe municione të tjera u gjetën nga policia në banesën e autorit të masakrës së Dallasit.

Ndryshe nga sa u raportua në orët e para, pas sulmit që shkaktoi vdekjen e 5 oficerëve dhe plagosjen e 7 të tjerëve, policia e Dallasit njoftoi se 25 – vjeçari Micah Johnson, një ish – rezervist ushtarak, veproi i vetëm.

Johnson ishte shprehur se kërkonte të vriste disa policë të bardhë, në kundërpërgjigje të vrasjeve të ditëve të fundit ndaj afro – amerikanëve.

Ai u eliminua me eksploziv me ndihmën e një roboti. Siç shihet në këto pamje, 25 – vjeçari kishte një përgatitje të lartë luftarake, pasi ekzekutoi me lehtësi agjentin e policisë në një konflikt të armatosur.

Nisur nga ngjarjet e rënda në vend, presidenti Barack Obama, u largua para kohe nga Samiti i NATO-s që po zhvillohet në Varshavë. Një ditë më parë, ai dënoi rëndë sulmin ndaj policisë dhe tha se dhuna kundër forcave të rendit nuk është kurrë e justifikueshme.

Ndërkohë mijëra qytetarë në disa nga shtetet kryesore amerikane, marshuan kundër dhunës dhe vrasjeve të njerëzve me ngjyrë nga policia. Ata dënuan gjithashtu edhe vrasjen e 5 oficerëve në Dallas, duke theksuar se duhet dëgjuar zëri i tyre, jo armët.

Tv Klan






Të ngjashme