Eksploziv poshtë makinës, arrestohet një gazetar
Forcat e sigurisë së Pakistanit sot kanë arrestuar gazetarin Khalid Afridi dhe një roje të sigurisë të klubit të gazetarëve në rajonin fisnor, Khyber, pasi dje është zbuluar një bombë nën automjet, i cili ishte përdorur nga katër gazetarë në pjesën veriperëndimore të Pakistanit.
Gazetari i arrestuar, Khalid Afridi, nga rrjeti News TV Channel në Khyber, ishte njëri prej katër reporterëve që dje udhëtonin me makinë, kur ishte gjetur bomba magnetike e vendosur nën të.
Ky grup i gazetarëve, përfshirë edhe korrespondentin e Radios Evropa e Lirë, Farhad Shinwari, po raportonte për një garë vjetore të automobilave në rajonin Khyber.
Afridi e kishte huazuar makinën në qytetin Jamroud, ku kishte filluar gara e automjeteve, dhe po udhëtonin para garuesve, kur dy persona të tjerë me makinën e tyre e vërejtën eksplozivin në veturën që udhëtonte para tyre.
Pastaj, një ekip i specializuar e çmontoi bombën, e cila i kishte afro dy kilogramë eksploziv.
Autoritetet, po ashtu, e kanë arrestuar edhe një rojtar të sigurisë në një vend ku kjo veturë ishte e parkuar, në kuadër të një klubi të gazetarëve në Jamroud.
/REL