Eksportuesit në situatë të vështirë
Për eksportuesit e perimeve është periudha më e vështirë. Prodhuesit nuk i përgjigjen dot kërkesave në sasi të produkteve bujqësore. Por as në cilësi. Kjo për shkak të klimës.
Reshjet e shumta të muajve të fundit, dhe rritja e papritur e temperaturave, kanë nxitur viruset. Serat janë prekur nga sëmundje të ndryshme. Domatja jo vetëm nuk është me shumicë, por është e dëmtuar nga kalbëzimi.
Tek një pikë e eksporteve në Lushnje punojnë më shumë se 30 gra. Procesi i përzgjedhjes së cilësisë është i rëndësishëm pasi prej saj varet ecuria e shitjes së produktit.
Kërkesat për treg janë rritur por prodhimi i bollshëm mungon. Vendet e Ballkanit kanë kërkesat më të mëdha nga Myzeqeja, por edhe Suedia dhe Çekia kërkojnë qershinë dhe luleshtrydhen shqiptare.
Momentalisht nuk lidhen kontrata midis fermerëve dhe eksportuesve, por e rëndësishme është të plotësohen kërkesat e tregjeve të huaja me prodhimet tona.
Dalja me vonesë e perimeve për treg është shoqëruar me mbylljen e disa pikave për eksport. Nga 16 të tilla që ka në Lushnje, katër prej tyre janë hapur duke grumbulluar sasinë më të pakët në pesë vitet e fundit për domaten, trangullin dhe specin.
Tv Klan