Ekstradimi i Morinës pasqyrohet në mediat serbe
“Kroacia ekstradon Morinën, personin që lëshoi dronin në stadiumin e Beogradit”.
Me këtë titull mediat serbe kanë pasqyruar lajmin, sipas të cilit gjykata e shkallës së parë në Dubrovnik vendos që të ekstradojë në Serbi Ballist Morinën
“Ismail Morina u arrestua një muaj më parë në Dubrovnik dhe u bë i famshëm pasi lëshoi flamurin shqiptar me anë të një droni mes ndeshjes Serbi – Shqipëri, për kualifikimin në Kampionatin Evropian të futbollit Euro 2016”,
shkruan më tej tabloidi serb Alo.rs.
Duke cituar mediat kroate, ato serbe shtojnë se ministria serbe e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e Ismail Morinës nën akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare dhe kombëtare dhe për këtë arsye pretendohet që të dalë para gjykatës së lartë në Beograd.
Po sipas mediave serbe, nëse shpallet fajtor Morina rrezikon deri në 3 vjet burg.
Ndërsa Blic-i serb raporton dhe për apelin e familjarëve të Morinës, të cilët akuzojnë qeverinë shqiptare se kanë braktisur të afërmin e tyre.
Gjithashtu në shkrim përmendet dhe arrestimi i Morinës në 7 Tetor të 2015-ës në Tiranë, pasi ai kishte dhe një armë me vete, në momentin që përpiqet të futej në stadiumin e Elbasanit në ndeshjen e kthimit mes Shqipërisë dhe Serbisë./Abc News