Ekzekutohet në qytetin e Bajram Currit Sali Salihi (12 Qershor 2000)


Ekzekutohet në qytetin e Bajram Currit Sali Salihi (12 Qershor 2000)

11:12 12/06/2000

Vritet sot pas një prite në fshatin Bujan të rrethit të Tropojës, Sali Salihi babai i Jaho Salihit. Ky i fundit është akuzuar zyrtarisht nga Partia Demokratike se është njëri prej ekzekutorëve të Azem Hajdarit. Sipas burimeve zyrtare atentati ka ndodhur sot në mëngjes në orën 07:30 në periferi të qytetit të Bajram Currit.

55 vjeçari Sali Salihi Mulosmani i cili po udhëtonte me makinën e tij i shoqëruar nga nipi, është nisur po në punë në zyrat e Shërbimit Informativ të Shtetit në rrethin e Tropojës. Vetëm 200 metra larg shtëpisë, makinës së Salihit i ka zënë rrugën një makinë tip Mercedez Benz me ngjyrë të kuqe. Personat që kanë dalë prej saj kanë qëlluar me armë automatike dy njerëzit e 24 vjeçarit Jaho Salihi.

Babai i tij ka mbetur i vdekur në vend ndërsa nipi i Salihit është plagosur. Ndërkohë që ai është sjellë urgjent për kurim në Spitalin Ushtarak të Tiranës, njerëzit e pritës pasi janë larguar nga vendngjarja pak kilometra më tutje e kanë braktisur makinën dhe i kanë vënë flakën.

Ky ka qënë atentati i dytë që drejtohej mbi Sali Salihin pasi djali i tij është akuzuar nga Partia Demokratike si njëri nga vrasësit e Hajdarit. Ndërsa Jaho i ka shpëtuar disa pritave pas 12 Shtatorit të vitit 1998. Në atentatin e fundit në Nëntorin e kaluar ku u vranë Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja, Jaho Salihi mbeti i plagosur rëndë. Pas kësaj mendohet se ai fshihet në Kosovë.

Vrasja e Sali Salihit jo vetëm që ka shtuar një emër të ri në listën e gjatë të vrasjeve pas ekzekutimit të Hajdarit, por ka përforcuar edhe më tepër idenë se ky proces nuk do të zbardhet nga drejtësia shqiptare por i është lënë në dorë kanunit./tvklan.al






Të ngjashme