Ekzekutorët e Çiçës fshihen në Tepelenë


Ekzekutorët e Çiçës fshihen në Tepelenë

15:42 25/05/2016

Jani Alia dhe Renato Milloshi, dy personat e shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ekzekutimit të Elton Çiçës, dyshohet se janë fshehur në Malësinë e Tepelenës, saktësisht në dy fshatra në kufi me Vlorën.

Për këtë arsye, një njësi e Repartit RENEA, e cila është e specializuar në identifikimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të kërkuarve për vepra të rënda kriminale, është zhvendosur në Tepelenë dhe Vlorë.

Paralelisht mësohet se, nga ana e grupit hetimor, që kryesohet nga Zv/Drejtori i Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës, po vlerësohen disa informacione të mbërritura nga qytetarët, pas deklaratës për media të policisë.

Por informacionet e marra në rrugë operative, i kanë orientuar forcat e policisë në Tepelenë, vendlindjen e 39 - vjeçarit Jani Aliaj.

Mbrëmjen e 1 Majit, rreth orës 22:10, i maskuar me një paruke dhe një kapele në kokë, ai ekzekutoi 36 - vjeçarin Çiça, në shoqërinë e 3 personave.

Alia u ndihmua nga Renato Milloshi, 36 - vjeç, nga Berati dhe banues në Tiranë, i cili e transportoi atë me një makinë tip Ford, që e kishte blerë dy ditë para atentatit.

makina

Në këtë makinë janë gjetur edhe gjurmë të gishtave të Jani Aliajt.

Pista kryesore e vrasjes së Elton Çiçës nga Jani Alia, sipas policisë, është ajo e hakmarrjes, për shkak të konflikteve të vjetra që dy bashkëqytetarët kishin pasur vite më parë me njëri - tjetrin.

Këto konflikte disa vjeçare kanë nisur në Greqi, për pazare droge dhe herë pas here kishin përfunduar në tentativa të dështuara për të eleminuar njëri – tjetrin.

Përplasjet ishin bërë të shpeshta në 4 muajt e parë të vitit 2016, që çuan deri në ekzekutimin e Elton Çiçës.

Jani Aliaj është tentuar të vritet më 10 Janar, në një lokal në Rrugën e Kavajës, në Tiranë.

Më 25 Prill, 6 ditë para vrasjes së Çiços, ai u plagos në dorë, në një atentat të kryer në Gjirokastër, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lumit”.

Tv Klan





Të ngjashme