Elbasan, abuzime me ndihmat ushqimore për refugjatët kosovarë (18 Prill 1999)
Nuk ka abuzime për ndihmat me kosovarët në Elbasan. Përfaqësuesit e Komisionit të Shpërndarjes së ndihmave në Elbasan, thonë se ndihmat e ardhura kanë përfunduar të gjitha në destinacion. Në tregun e Elbasanit ditët e fundit janë vërejtur disa mallra, pjesë e ndihmave, duke u shitur. Komisioni i Shpërndarjes këtë fakt e largon nga përgjegjësia e saj duke thënë se mund të jenë vetë qytetarët kosovarë që i shesin ato.
Në Elbasan, sipas shpërndarësve të ndihmave, shteti ka dhënë një ndihmë simbolike dhe të pamjaftueshme. Organizma si Kryqi i Kuq apo shoqata joqeveritare kanë mbajtur rolin kryesor të ndihmave humanitare. Familjarët elbasanas vazhdojnë të presin refugjatë kosovarë. Megjithëse mikpritja nga elbasanasit nuk ka munguar, problemet e para kanë filluar. Rritja e konsumit të energjisë elektrike si shkak i rritjes së frymëve në familje është tepër shqetësues për familjet e varfëra por bamirëse të Elbasanit./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj