Elbasan, greva e PTT – (7 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Punonjësit e PTT-së në Elbasan hidhen në grevë. Kjo degë i është përgjigjur thirrjes së Federatës Sindikale të Postë Telegraf Telefonave të Shqipërisë, e cila kërkon rritje page për punonjësit e saj në masën 40 përqind si dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punonjësve.
Greva ka filluar sot dhe do të vazhdojë për tre ditë deri më 9 Qershor. Kryetari i Sindikatës së PTT Elbasan, Arben Boriçi thotë se sot është mbyllur plotësisht aktiviteti i rrjetit, riparimit të kabllove, shërbimi ndaj abonentëve e të tjerë. Janë mbyllur kartofonet e qytetit, shërbimet publike, mbyllja e zyrave të PTT-së. Punonjësit janë paraqitur në ndërrmarje por ata nuk kanë pranuar të shkojnë nëpër vendet e punës.
Afro 85 përqind e punonjësve në qytetet Elbasan, Librazhd, Gramsh e Cerrik kanë mbështetur grevën. Zoti Boriçi sqaron se Drejtoria e Telekomunikacionit ka pranuar dhe aprovuar kërkesat tona ndërsa Këshilli i Mbikqyrjes pranë Qeverisë nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje. Gjithashtu sindikalistët e PTT-së në Elbasan shtojnë se greva do të vazhdojë pa afat në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj