Elbasan, Kisha 500 vjeçare që rrezikon të shembet (23 Nëntor 1999)
Kisha e fshatit Çelsa në rrethin e Elbasanit rrezikon të shembet. Ky objekt fetar është ndërtuar në shekullin e 16-të, ikonat e së cilës janë pikturuar nga piktori ynë i madh Onufri. Kjo kishë në moshën 500 vjeçare është një thesar i paçmueshëm kombëtar për shumë shqiptarë për vlerat që mbart. Si objekt tepër unikal i kultit fetar ajo nuk është e njohur vetëm kufijve të Shqipërisë por është kataloguar edhe jashtë pikërisht sepse në muret e saj gjendjet afresket dhe ikonat të pikturuara nga Onufri.
Gjendja e saj e mjeruar shqetëson jo vetëm historianët e qytetit por dhe vizitorët e kishës. Përfaqësuesit më të lartë të pushtetit lokal disa herë kanë bërë kërkesë në instancat e pushtetit qendror për ndryshimin e gjendjes. Por ende nuk është kthyer ndonjë përgjigje nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve për të filluar punimet restauruese. Pushteti lokal është i gatshëm të ndërhyjë por fondet që ka në dispozicion nuk mjaftojnë për punimet e mëdha rehabilituese. Megjithatë ende nuk dihet se kush do ti japë drejtim këtij problemi./tvklan.al