Elbasan, zbulohet fabrika e falsifikimit të lekëve (29 dhjetor 2000)
Në Elbasan policia ka zbuluar një fabrikë për falsifikimin e parave vendase dhe të huaja. Ka qenë zyra e krimit ekonomiko-financiar ajo që ka realizuar operacionin që çoi në shpartallimin e qendrës më të madhe të falsifikimit të kartmonedhave të kapura ndonjëherë në Shqipëri. Çeshtja e parave falso në tregun valutor të Elbasanit, por dhe disa qytete rrotull tij, kishte nisur të bëhej shqetësues për qytetarët, ashtu edhe për kambistët.
Pas hetimeve policia arriti të arrestojë 21-vjeçarin Aleksandër Lleshanaku. Në momentin e prangosjses atij iu kapën 60 copë kartmonedha të prerjes 200 lekëshe. Menjëherë pas shoqërimit në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit u bë dhe kontrolli i banesës së të riut në lagjen 11 Nëntori. Rezultatet kanë qenë vërtetë befasuese dhe për vetë punonjësit e policisë kur ata arritën të zbulojnë printer dhe aparate ultramoderne fotokopjimi, lëndë të para për prodhimin e kartmonedhave false, stampa të ndryshme dhe kimikate.
Veç kësaj u gjendet dhe u bllokuan rreth 11 milionë dhrahmi false. 260 copë kartmonedha të prerjes 100 dollarë ose 126 mijë dollarë amerikanë si dhe 2 milionë lekë shqiptare në prerje 200 lekëshe. Menjëherë pas kësaj u ndalua dhe u shoqërua në polici dhe babai i 21-vjeçarit si dhe xhaxhai i tij. Ata akuzohen si autorët kryesorë të prodhimit të kartmonedhave si edhe shitësit e tyre. Ky operacion i ka dhënë goditjen më të fortë industisë së falsifikimeve në Shqipëri, goditje kjo që mban emrin e Drejtorisë së Policisë Elbasan të drejtuar nga Kolonel Edmond Koseni./tvklan.al