Elbasani, masa të forta sigurie për festat e fundvitit (29 dhjetor 2000)
600 policë elbasan janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë natën e Vitit të Ri. Aktualisht barrën më të rëndë të punës po e përballojnë forcat e trafikut në qytet dhe inspektorët e qarkullimit rrugor. Ditët e pragfestës së Vitit të Ri vihet re një dyndje e automjeteve të ardhur nga jashtë dhe makinat e emigrantëve që vijnë për të festuar Vitin e Ri në Elbasan. Puna në këtë sektor është organizuar në të gjitha akset rrugore që të dërgojnë në qytetin e Elbasanit. Inspektorët e qarkullimit kanë marrë urdhër të prerë të regjistrojnë të gjitha makinat me targa të huaja.
Si pasojë e reshjeve është kërkuar që të jepet informacion dhe për shkarjen e dherave dhe bllokimet e mundshme të rrugëve. Në gadishmëri janë vënë 34 automjete policie dhe 8 motorrë. Kudo janë dyfishuar forcat. 60% e rrugëve në qytet janë bërë një kalimshme ose me kalim të detyruar. Për normalizimin e trafikut të makinave janë vendosur kubikë dhe paralajmërues. Patrullimet e forcave të policisë do të vazhdojnë të dyfishohen në qytet deri në orët e vona të natës./tvklan.al