Elbasani pa energji dhe pa dru zjarri (7 Dhjetor 1999)
Elbasani përveç errësirës që përjeton gati çdo natë edhe i ftohti nuk i qëndron larg. Mungesa e gjatë e energjisë elektrike në këtë qytet dhe mospatja totalisht në asnjë pikë shitje lëndë djegëse bën që qytetarët të presin stinën e ngrohtë. Dyqanet e vajgurit nuk ekzistojnë më, e njëjta gjë edhe për fushat e druve të zjarrit. Privatët nuk e ofrojnë këtë lëndë drurore djegëse për qytetarët, pasi justifikohen me mungesën e tyre në pyje dhe se në disa zona janë bërë procedurat e privatizimit.
Por mbeten edhe vështirësitë e transportit. Paradoksi ndodh në treg sepse ekzistojnë soba të modeleve të ndryshme me vajguri, dru, qymyr dhe gaz. Oxhaqet e vjetra të trashëguara në mjaft shtëpi elbasanase, kryejnë një funksion normal. Vetëm në periferi të qytetit mund të gjesh ndonjë tregtar nga ndonjë fshat tjetër që transporton me kafshë pune, dru të prera dhe çmimi i tyre është shumë më i lartë se normalja e një late dru.
Sipas specialistëve të Bashkisë situata është vërtet kritike. Çdo gjë është privatizuar dhe Bashkia është e pafuqishme për rregullimin e kësaj situate./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti