Elbasani përgatitet për festat e fundvitit – (20 Dhjetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Në qytetin e Elbasanit, ka filluar të ndihet atmosfera e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Kështu ndërmarrja e pastrim gjelbërimit, po punon për zbukurimin e dekorit në qendër të qytetit. Gjithashtu, po në sheshin në qendër të qytetit është ngritur edhe podiumi ku natën e ndërrimit të viteve, do të zhvillohet një aktivitet i madh artistiko-kulturor me këngëtar, artist të humorit, valltarë etj.
Gjatë periudhës në vazhdim, puna do të përqendrohet në vendosjen e llambave dekorative, ndriçimin, pemën e Vitit të Ri, etj. Në sheshin “Aqif Pasha”, do të vendoset edhe një pemë e madhe e Vitit të Ri. Por për ndërmarrjen e pastrim gjelbërimit, ekziston edhe një tjetër shqetësim.
Disa nga bredhat në qytet janë të kërcënuar nga qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët tentojnë të presin majat e tyre për të zbukuruar ambientet familjare. Kështu që ndërmarrja e pastrim gjelbërimit, ka vendosur që këto pemë të ruhen me roje të posaçme deri në përfundim të festave./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora