Elbasani, qyteti më i ndotur në Shqipëri. Shkak, uzinat dhe gazrat toksikë (20 Shkurt 2001)
Edhe pse shumë fabrika dhe uzina kanë pushuar së ekzistuari, Elbasani mbetet qyteti më i industrializuar në vend. Për pasojë ajri i atmosferës në këto territore rezulton të jetë më i ndotur në të gjithë vendin. Fenomeni ka filluar të bëhet shqetësues sidomos kohët e fundit me vënien në punë të disa fabrikave të mëdha. Kështu me dyfishimin e prodhimit të uzinave të çeliqeve që administrohet nga KURUM dhe uzina e ferrokromit që administrohet nga firma DARFO, janë dyfishuar pluhurat dhe mbetjet toksike në atmosferë.
Agjensia Rajonale e Mjedisit e ka bërë prezente kudo shqetësimin, por prodhuesit industrialë nuk duan t’ja dinë. Përveç fabrikës së çimentos që ka dërguar një projekt për filtrimin e gazrave, të tjerët deri tani vetëm kanë heshtur. Puna në ferrokrom ka filluar pa lejen e Zyrës së Mjedisit, ndërkohë që gjoba e vënë për ndotjen e ambjentit është shpërfillur nga drejtuesit e firmës. Pasojat i vuajnë mbi 200 mijë banorë të zonës, mushkëritë e të cilëve thithin pluhurin vrasës dhe gazrat toksikë./tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego