
Elbasan/Shpërdoruan detyrën, pranga 4 zyrtarëve
Katër zyrtarë kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje të barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Bëhet fjalë për punonjës të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, në këtë qytet.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për:
Kristaq Piligriu, 59 vjeç, me detyrë Kryetar i Degës Ekonomike në Uzinën Lëndëve Plasëse Mjekës.
Argjir Panariti, 64 vjeç, ish – inxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës.
Stavri Çipa, 59 vjeç, me detyrë Kryeinxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës.
Gëzim Pitja, 53 vjeç, me detyrë inxhinier në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, të gjithë banues në Elbasan.
Ndërkohë, policia thotë se po punon për kapjen e shtetasit në kërkim të 64 – vjeçarit me iniciale D.K, me detyrë ish – Drejtor i Uzinës Lëndëve Plasëse Mjekës.
Sipas policisë, këta persona duke qenë me detyrë kryetarë dhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën dhe shkelur barazinë e pjesmarrësve në tendera për tenderin e zhvilluar për “Shitje skrapi dhe lëndëve plasëse TNT”, procedurat e tenderimit “Koncerti i trashëgimisë kulturore shqiptare”, si dhe sponsorizime të tjera të kryera nga Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës./tvklan.al