Elseid Hysaj rikthehet në stërvitje
Pushimet kanë mbaruar për Elseid Hysaj.
Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare është bashkuar me Napolin në fazën përgatitore, që skuadra po zhvillon përpara nisjes së sezonit të ri.
Por përgatitja fizike nuk është misioni i vetëm për futbollistin që duhet të zgjidhë edhe të ardhmen e tij.
Paraqitja e shkëlqyer dhe me rolin si titullar i padiskutueshëm Hysaj, ka detyruar klubin napolitan të rishikojë kontratën e tij.
Tratativat për rinovimin e saj kanë nisur prej javësh, por firma e mbrojtësit është shtyrë sërish.
Konfirmimi vjen nga menaxheri i futbollistit, Mario Xhuifredi.
Në një pronocim për mediat italiane, ky i fundit është shprehur se palët do të ulen në tavolinën e bisedimeve sërish gjatë fundjavës.
Parimisht, Napoli ka rënë dakord për kushtet e rinovimit, duke pranuar edhe një rritje të ndjeshme të të ardhurave të Elseid Hysaj, që sipas asaj që raportojnë mediat lokale nëse firmos kontratën e re do të fitojë 1.5 milion euro në sezon plus bonuset.
Por ashtu siç ka saktësuar menaxheri i mbrojtësit të Kombëtares, klubi kërkon nga ana tjetër të mbrojë lojtarin nga ofertat e skuadrave të tjera, që gjatë kësaj vere kanë qenë të shumta.
Për këtë arsye, Napoli mendon të përfshijë në kontratën e re një klauzolë për prishjen e njëanshme të saj.