250 shtëpi nën ujë, vazhdon evakuimi


250 shtëpi nën ujë, vazhdon evakuimi

22:06 04/01/2010

Të paktën 250 banesa gjenden ende nën ujë në Qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve dhe shkarkimeve të kaskadës së Drinit. 3 500 hektarë tokë janë përmbytur gjithashtu. Mjaft familje janë evakuuar, por shumë të tjera refuzojnë t’i braktisin shtepitë, ndonëse në to ka vërshuar uji. Disa banesa janë tërësisht të izoluara.

Niveli i ujit ka rënë me 20 centimetra të tjerë dhe situata është përmirësuar në krahasim me fundjavën. Banorët thonë se do t’i braktisin shtëpitë vetëm nëse do të ketë përkeqësim të situatës. Shtabi i emergjencave ka dërguar ndërkohë edhe ndihmat e para.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në Shkodër janë dislokuar forcat operacionale për të ndihmuar evakuimin e banorëve, forca të ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës e Tiranës, si dhe reparti Delta Force me dy gomone. Në terren po veprojnë nga Ministria e Mbrojtjes 112 trupa, 13 mjete transporti vetshkarkuese dhe 6 motobarka.

Të gjithë këto grupe po punojnë për largimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe forcimin e argjinaturave. Në Komunën e Ana e Malit gjenden 12 forca montimi me dy mjete transporti të ngarkuara me dy ura tip bejli.

Zyra e Emergjencave Civile ka bërë edhe një bilanc paraprak të situatës, me shtëpitë dhe tokat e përmbytura për çdo zonë dhe familjet e evakuuara.

Nga vlerësimi paraprak i Bashkisë Shkodër është përmbytur rreth 600 ha tokë në rajonin nr.1. Në lagjen Ajasem, Bahçallëk dhe Tophane janë evakuar nga zona e përmbytjes 37 familje, nga të cilat 11 janë strehuar në ambientet e Turizmit në Shkodër. Dje pasdite 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar ne repartin ushtarak ne Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma ushqimore e mjekesore.

Sipas vlerësimit paraprak, në Komunën Ana e Malit është përmbytur rreth 850 ha tokë. Janë me prezencë uji 130 shtëpi në fshatin Obot, nga të cilat 5 familje janë evakuar.

Në komunën Dajç janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore. Në prezencë uji ndodhen 70 banesa dhe janë evakuar 53 familje.

Autoritetet thonë se niveli i ujit pritet të bjerë me ritme të shpejta nëse nuk do të ketë reshje të dendura. Niveli i shkarkimit nga hidrocentralet është ulur që prej të dielës.

Tv Klan






Të ngjashme