Emergjencë mjedisore në Elbasan
Dikur 12 uzinat që përbënin metalurgjikun e Elbasanit shkarkonin në atmosferë pluhur dhe ndotje kimike duke e bërë këtë rajon unikal për nga shkalla e ndotjes në Europë. Por oxhakët që villnin tym konsideroheshin thjeshtë krenari socialiste dhe ndotja nuk konsiderohej.
Edhe sot, pavarësisht se metalurgjiku i dikurshëm nuk është më aktiv, shumë fabrika vazhdojnë të jenë aktive në të njëjtin perimetër. Veç uzinës së Ferrokromit në këtë zona rrënojash industriale operon edhe një fabrikë për përpunimin e naftës, edhe pse në këtë qytet nuk ka patur kurrë një burim të tillë. Si rrjedhim ndotja vazhdon të jetë e njëjtë, e tashmë asaj i është shtuar edhe aroma e rëndë për të cilën banorët e zonës shprehen se nuk munden dot të marrin frymë lirisht.
Për arsyet e vjetra dhe të reja, banorët e Elbasanit dhe fshatrave përreth metalurgjikut janë të prekur nga sëmundje të rëndë që burojnë nga ndotja e ajrit. Për këto arsye këshilli bashkiak ka kërkuar shpalljen e emergjencës mjedisore për zonën e metalurgjikut, një propozim që vjen për herë të parë në një zonë të ndotur në Shqipëri.
Edhe ekspertët mjedisorë pohojnë për Klan Plus, se situata në zonat përreth metalurgjikut është një shqetësim i vazhdueshëm dhe që kërkon tashmë të marrë një zgjidhje.
Ndërkohë sipas një raporti botëror mbi shkallën e ndotjes, Shqipëria renditet ndër vendet e para për ndotjen e ajrit dhe krahina e Elbasanit konsiderohet një zonë me potencial të lartë rreziku.
Burimi: Klan Plus