Emërime pa veting në Prokurori
Kreu i KLP-së sqaron arsyet për Tv Klan
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të emërojë në krye të prokurorive edhe ata kandidatë që nuk i janë nënshtruar ende filtrave të vettingut.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e fundit të KLP-së që vendosi të ndryshojë rregulloren për prokurorët që garojnë për poste drejtuese, ndonëse sipas Reformës në Drejtësi, emërimet duhet të bëhen pas kalimit të vetingut.
Por kreu i këtij institucioni Gent Ibrahimi thotë se prokurorët që synojnë poste drejtuese nuk mund të jenë të varur nga organet e vetingut. Rregullorja e vjetër parashikonte një pritje prej 3 muajsh për t’iu nënshtruar filtrave të vetingut përpara emërimit. Ndryshimet e kanë hequr këtë pengesë.
“Bëmë një ndryshim për vetingun që do bëjmë ne, sepse kuptuam që nga Shtatori i 2019-s, periudhë në të cilën vendosëm që t’u japim 3 muaj kohë organeve të vetingut që të filtrojnë kandidatët tanë para se ne t’i emërojmë. Që nga ajo kohë deri tani ne kuptuam që është formalitet. Sepse vetingu do më shume se tre muaj të përfundojë. Në iu kthyem detyrës tonë kushtetuese, midis të cilave është edhe menaxhimi i karrierave të prokurorëve.”
Ibrahimi nuk përjashton edhe mundësinë që ndonjë prej prokurorëve që Këshilli vendos ta emërojë mund të “rrëzohet” nga vetingu.
“Tashmë ne e dimë që kjo mund të ndodhë, rasti më i spikatur është ai i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese që u shkarkua nga vetingu.
Në raste të tilla, i gjithë procesi i emërimit do të kthehet në fazën fillestare e kështu mund të përsëritet nëse edhe kandidati i radhës emërohet nga KLP e rrëzohet nga vettingu, duke mos u dhënë një zgjidhje përfundimtare emërimeve pa veting.
Aktualisht në 28 prokuroritë janë të emëruar vetëm 4 drejtues, ndërsa pjesa tjetër caktohen nga Këshilli me një mandat 3 mujor. Por sipas Ibrahimit kjo duhet të marrë fund në mënyrë që prokurorët të fitojnë pavarësinë dhe mos jenë të varur nga Këshilli.
“Synimi i Këshillit është që t’i shpëtojë drejtuesit e zyrave të prokurorisë nga një lloj “zgjedhje”. Pra drejtuesit janë të pa sigurt nëse do qëndrojnë në detyrë apo jo dhe janë në një varësi të plotë nga Këshilli. Përmes emërimit për një mandat 3-vjeçar ne i bëjmë ata të pavarur”.
Në mbledhjen e radhës Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pritet që të shpallë vakancat për 23 prokurori dhe kandidatët që plotësojnë kriteret do të emërohen me një mandat 3-vjeçar.
Tv Klan