Emigrantët thyen rekord në 2017-ën
Numri i personave që braktisën vendbanimet e tyre në gjithë globin shënoi një rekord të ri vitin e kaluar. Bëhet fjalë për 68.5 milionë njerëz sipas një raporti të UNHCR-së për lëvizjen e emigrantëve për vitin 2017.
Shifra u rrit me rreth 25% brenda një viti. Shkaqet që i detyrojnë njerëzit të braktisin vendet e tyre të lindjes nisin nga ato politike, persekutimet, shkeljet e të drejtave të njeriut e deri tek ato ekonomike. Numri i refugjatëve në vitin 2017 arriti në 25.4 milionë vitin e kaluar, 11% më i lartë se një vit më parë.
Siria nuk është më kriza më e madhe që i detyron njerëzit të marrin arratinë. Sipas UNHCR-së problem në 2017-ën ishin kriza politike në Republikën Demokratike të Kongos, lufta në Sudanin e Jugut dhe arratia drejt Bangladeshit e mijëra refugjatëve myslimanë nga Burma. Drejtuesit e Komisionit për Refugjatët në Kombet e Bashkuara i konsideruan shifrat alarmante.
Ata kërkuan nga qeveritë e vendeve të zhvilluara, të mos i braktisin njerëzit e vendeve në krizë ti zgjidhin vetë problemet. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të diskutojë brenda pak muajve për një plan të ri për përballimin e krizave të refugjatëve.
Tv Klan