Emision për Ahmet Zogun II (20 maj 2004)
Autori: Blendi Fevziu
19:11 20/05/2004Opinion-Në serinë e dytë të ciklit të emisioneve për mbretin e vetëm të Shqipërisë, Ahmet Zogun, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, trajtohet jeta pas martesës me Mbretëreshën Geraldinë.
Mbreti Zog kulmin e tij e pati pas një karriere që filloi nga ajo e një anëtari parlamenti, deputeti, ministri, kryeministri, presidenti e më pas mbret i shqiptarëve. Në serinë e parë u fol për angazhimin e tij që prej fillimit, rreth vitit 1911 e deri në vitin 1938, ku në një ceremoni madhështore u martua Mbreti Zog.
Por jeta në mërgim e Mbretit Zog përbënte mjaft interes. Historia e tij ka qenë krejtësisht e panjohur për shqiptarët dhe për historinë, pasi gjatë periudhës së diktaturës figura e tij ishte e ndaluar.
Pas martesës me Mbretëreshën Geraldinë, Mbreti Zog hoqi dorë nga jeta e një monarku bajraktar dhe u kthye në stilin e një monarku europian. Ai tentoi të dilte me gruan e tij, tentoi që gruaja e tij të kishte një aktivitet humanitar dhe bëri disa udhëtime nëpër Shqipëri për të njohur më mirë vendin. Këto do të ishin momentet më të bukura të jetës së tij pas martese, pasi në këtë periudhë ai vihet në dijeni të tratativave italiane. Nisur nga viti 1936, kur në krye të Ministrisë së Jashtme erdhi Conte Ciano, dhëndri i Musolinit dhe një nga politikanët e rinj ambiciozë, duket se për Shqipërinë fillojnë problemet.
Duket se këtë ka patur parasysh edhe vetë Mbreti Zog kur i ka bërë dhuratat Mbretëreshës Geraldinë, së cilës i ka thënë: “Këto dhurata dhe gurë të çmuar mund të na duhen edhe për një kohë tjetër. Sot jemi në pallat, por nesër mund të mos kemi për të ngrënë”.
I vendosur në një rol prej “kasandre”, Mbreti Zog duket se kishte parashikuar jetën e tij dhe të familjes. Në fund të vitit 1938, kur Italia kishte treguar qëllimin e saj për aneksimin e Shqipërisë, mbreti Zog ndërthur dy mënyra për të treguar se për italianët nuk do të ishte e lehtë. Mënyra e parë ishte ajo diplomatike, ai lëvizi në drejtim të Britanisë dhe Gjermanisë për t’iu treguar se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me to në rast se ata do ta siguronin për mbrojtje nga Italia. Por të dyja tratativat dështuan, sepse as Gjermania dhe as Britania nuk ishin të gatshme të hynin në konflikt me Italinë për hir të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Mbreti Zog mobilizoi ushtrinë për t’iu treguar italianëve se ai do të rezistonte.
Por pikërisht në këtë vit, kur ai tentonte t’u nxirrte dhëmbët italianëve, ata kishin filluar masat radikale ndaj Shqipërisë. Ciano kishte filluar të vinte në zbatim një plan për eleminimin e Zogut dhe për këtë kishte marrë miratimin e Musolinit, por ky plan nuk u zbatua. Sipas biografit zyrtar të Ahmet Zogut, Bernd Fischer ka patur 3 tentativa italiane për eleminimin e Mbretit Zog.
Në Janar të 1939-ës, Ciano dakordësohet me fqinjët e Shqipërisë për pushtimin dhe në fund të muajit Mars hidhen në sulm për aneksimin e Shqipërisë. Më 5 Prill të atij viti, Geraldina sjell në jetë djalin e vetëm të tyre, Princin Leka, pas një operacioni të vështirë dhe në këto momente situata komplikohet. Në mbrëmjen e 6 Prillit, Mbreti Zog vendosi për rezistencë ndaj italianëve, por ai vetë u largua nga vendi. Përpara largimit, ai i kishte kërkuar ambasadorit amerikan që Mbretëresha Geraldinë dhe Princi Leka të vendoseshin aty, pasi ishin në pamundësi për të udhëtuar. Ai e pranoi ofertën, por mbreti ndryshoi mendje. Në mbrëmje, vetëm dy ditë pas lindjes, Mbretëresha niset për në jug të Shqipërisë e shoqëruar me 15 autokolona. Më 9 Prill, vetë Mbreti Zog vendos të kalojë kufirin drejt Greqisë, pas zhvillimeve në vend. Një pjesë e deputetëve që mbetën në Shqipëri vendosën që në mënyrë institucionale t’ia dorëzojnë pushtetin italianëve.
Ndërkohë Mbreti Zog u transferua nga Greqia në Turqi. Por vendi më i mirë, sipas tij, ishte të largohej drejt Francës dhe Britanisë. Ata mbërrijnë në Britani me shpresën se do të njiheshin si qeveri në mërgim. Por tentativat për të bindur britanikët qenë të vështira dhe rezultuan dështime.
Në Maj të vitit 1941, italianët vendosin të sjellin për një vizitë në Shqipëri Mbretin Emanuel, por në kryeqytet ai u përball me një surprizë të pakëndshme. Në rrugën e Durrësit atij iu bë atentat nga Vasil Laçi, i cili u var menjëherë pas këtij akti. Pak kohë më pas, forcat italiane fillojnë sulmin ndaj Greqisë, që në momentet e para rezultuan të suksesshme. Në këtë pikë, Mbreti Zog i ofron grekëve forca për të sulmuar italianët. Ndërkohë që Londra po tregohej e ftohtë ndaj mbretit dhe po tentonte që të ndikonte që të mos e njihnin, tre kundërshtarët e tij më të mëdhej bashkohen sëbashku. Kosta Çekrezi, Fan Noli dhe Faik Konica nënshkruajnë një deklaratë ku thuhej se Mbreti Zog ishte personaliteti i çmuar i Shqipërisë.
Në verën e vitit 1944, në vend po bëhej një lëvizje masive dhe komunistët po kontrollonin pjesën më të madhe të vendit. Në të njëjtën kohë fuqitë e mëdha vendosin t’i njohin komunistët dhe t’i zgjedhin ata si partnerët kryesorë. / tvklan.al