Kush janë 3 grabitësit e Fierit që plagosën dy persona?


Kush janë 3 grabitësit e Fierit që plagosën dy persona?

13:21 02/03/2018

Policia e Fierit ka arrestuar 3 autorët e plagosjes së dy shtetasve gjatë vjedhjes së një pike të këmbimit valutor.

Sipas njoftimit të policisë, 3 të arrestuarit janë 37-vjeçari Zini Fyraj, banues në Sevaster të Vlorës, 42-vjeçari Lulëzim Demiraj, banues në Vajzë të Vlorës dhe 41-vjeçari Dashamir Gergali, banues në Zhupan të Fierit.

Njëri prej grabitësve u kap në lumin pranë fshatit Baltëz pasi për t’i shpëtuar policisë u hodh në lumë. Autori i dytë u kap te ura e Baltëzës, ndërsa i treti u kap pasi ishte fshehur në një banesë në fshatin Baltëz.

Rreth orës 10:55 të paradites së të premtes në vendin e quajtur “Zogu i Zi”  Fier, nën kërcënimin e armës ata kanë vjedhur një pikë këmbimi valutor.

Autorët e dyshuar kanë qëlluar me armë zjarri duke plagosur dy persona, njëri pronar i Exchange-t, 64-vjeçari G.H. dhe një person tjetër që ndodhej aty pranë, A.V, 53 vjeç. Të dy të plagosurit ndodhen në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve.

Në ndjekje të autorëve, të cilët u larguan me mjetin tip “Benz” me targa të dyshuara si të falsifikuara AA 879 JG, u vunë menjëherë forca të policisë.

Në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, ata braktisën mjetin dhe u larguan me vrap në këmbë. Megjithëse njëri prej tyre u hodh në lumë në përpjekje për t’u larguar, përfundoi në pranga. Pas ndjekjes, në vendin e quajtur “Ura e Baltëzës” u kap autori i dytë, si edhe autori i tretë në një banesë në fshatin Baltëz.

Policia ka sekuestruar çantën me paratë që u vodhën në Exchange, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /tvklan.al






Të ngjashme