Emri i Maqedonisë, Nimetz: Është koha për vendim
Ndërmjetësuesi i posaçëm i OKB-së për çështjen e emrin të Maqedonisë, Mathew Nimetz, i ka cilësuar marrëdhëniet që kanë ndërtuar dy vendet, si një shans i rrallë, që duhet shfrytëzuar më së miri e jo të zvarritet më tej.
Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias, Nimetz theksoi se Athina dhe Shkupi tashmë kanë energjinë e duhur për të mbyllur marrëveshjen që është bërë mollë sherri prej më shumë se një cerek shekulli.
“Qeveria greke është shumë e sinqertë dhe me energji për arritjen e zgjidhjes së problemit. Mendoj se ekziston vullnet këtu e po ashtu në Shkup, për t’u përpjekur për gjetjen e zgjidhjes që prej më shumë se 25 vjetësh ka rritur tensionet. Të gjithë i njohin çështjet kyçe. Është koha të marrim vendim”.
Megjithatë ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias nënvizoi se çështja e emrit nuk është vendosur në një numërim mbrapsht dhe se bisedimet mund të vazhdojnë edhe pas muajit Korrik, kohë kur do të mbahet Samiti i NATO-s në Bruksel.
Në Greqi këmbëngulin se Athina dhe Shkupi e kanë gjetur tashmë zgjidhjen. Sipas mediave në vendin fqinj, mes 4 propozimeve të negociatorit Nimetz, është pranuar bashkarisht ai i “Gorna Makedonija”, “Maqedonia e sipërme”.
Më herët kryediplomati grek Nikos Kocias propozoi që Maqedonia të njihet ndërkombëtarisht me emrin “Nova Makedonija”, Maqedonia e re, duke kërkuar që emri të mbahet vetëm në gjuhën sllave e të mos përkthehet.
Tv Klan