“Emri i Maqedonisë” nisja e negociatave brenda Janarit


“Emri i Maqedonisë” nisja e negociatave brenda Janarit

17:10 02/01/2018

Shkupi dhe Athina ende nuk kanë një datë të saktë për nisjen e negociatave për zgjidhjen e konfliktit 26-vjeçar për çështjen e emrit të Maqedonisë. Methju Nimiç ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara ka kërkuar që bisedimet të nisin në ditët e para të Janarit, në mënyrë që brenda Korrikut të jetë arritur një marrëveshje. NATO ka në plan që në samitin e Brukselit në 11 dhe 12 korrik, ti japë Maqedonisë ftesën për anëtarësim.

Kryeministri maqedon Zoran Zaev u shpreh optimist gjatë një deklarate për mediat në Shkup se negociatat do të nisin brenda këtij muaji. I konsideruar si një politikan pro-europian, shpresat janë që me ardhjen e tij në pushtet, Maqedonia të zbusë qëndrimin strikt për këtë çështje përballë Athinës. Zaev është treguar i gatshëm të heqë dorë nga pretendimi për figurën historike të Aleksandit të Madh dhe mbështet propozimin për emërtimin “Maqedonia Veriore”.

Por kjo çështje po përçan koalicionin qeverisës në Greqi. Pavarësisht se edhe kryeministri grek Aleksis Cipras e mbështet këtë emërtim, partneri i tij konservator në koalicion Panos Kamenos shprehet kundër çdo alternative që mbart emrin Maqedoni.

Kjo çështje mban peng anëtarësimin e Maqedonisë në NATO e Bashkim Europian. Greqia që ka një rol vendimtar për pranimin e këtij vendi në strukturat Euroatlantike pretendon se emri Maqedoni i përket kulturës dhe historisë greke, të cilin nuk mund ta mbajë një shtet që nuk ka lidhje me të, ndaj dhe kërkon që ky vend të gjejë një emërtim tjetër.

 

Tv Klan






Të ngjashme