Emri i ri i Maqedonisë


Emri i ri i Maqedonisë

23:15 09/01/2019

Parlamenti maqedonas mbylli ditën e parë të diskutimeve për fazën përfundimtare të procesit të ndryshimeve kushtetuese, për vënien në zbatim të marrëveshjes me Greqinë, për emrin e ri shtetëror “Republika e Maqedonisë Veriore”.

Kryeministri Zoran Zaev ende nuk i ka të sigurta votat e lëvizjes shqiptare Besa. Pa mbështetjen e saj, nuk arrihet numri i nevojshëm prej 80 votash për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Zaev ua drejtoi edhe atyre thirrjen nga foltorja parlamentare.

“Vendimi juaj pozitiv sot këtu në Kuvend e ofron Maqedoninë deri te anëtarësimi në NATO. Gjithashtu e bën të qartë mundësinë që në Qershor të hapim kapitujt e parë në bisedimet me Bashkimin Evropian, që duhet t’i përmbyllim në vitin 2025”.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit kërkon që në ndryshimet kushtetuese të përcaktohet qartë zyrtarizimi i Gjuhës Shqipe. Këtë javë, Zaev siguroi mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët të Zijadin Selës, duke pranuar propozimin që të gjitha etnitë të kenë trajtim të barabartë në dokumente.

Diskutimet vijojnë të enjten pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së që protestoi para parlamentit. Votimi parashikohet të kryhet maksimalisht deri më 15 Janar.

Tv Klan






Të ngjashme