Emri/ Shpërndante kokainë në kryeqytet, arrestohet 38-vjeçari
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcat Speciale Shqiponja në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta në doza të vogla. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestua Leonard Durrësi, 38 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje me dhunë”.
38 vjeçari kryente aktivitet të kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të forta të llojit “Kokainë” në doza të vogla personave të ndryshëm në zonat e Laprakës, Zogut të Zi dhe “Don Bosko”.
Durrësi në momentin e ndalimit nga shërbimet e Policisë në rrugën e “Dritan Hoxha”, gjatë kontrollit fizik i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25.4 gramë doza lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”./tvklan.al