Emri/ Shqiptari përplaset për vdekje në rrugët e Londrës
Një 30-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht pasi është përplasur nga një furgon “Ford Transit” teksa shkonte për punë. Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 06:00 në Londër.
Mediat vendase shkruajnë se Ardian Zagani po udhëtonte me biçikletë për të shkuar në punë. Ai ishte pjesë e stafit në Kolegjin Haringey ku punonte si kujdestar. Një pasagjer që ndodhej në furgonin që e përplasi, u mundua ta ndihmonte por pak minuta më vonë shqiptari ndërroi jetë në vendngjarje. Policia arrestoi drejtuesen femër të furgonit, e cila do të merret në pyetje në lidhje me aksidentin me vdekje. Drejtori i Kolegjit ku punonte shqiptari, e cilësoi Ardian Zaganin si një koleg shumë të mirë, punëtor dhe të qeshur. Kurse një mik i ngushtë i 30-vjeçarit nuk arrinte ta besonte se Zagani kishte ndërruar jetë. “Kjo është shkatërruese. Ai ishte një person jashtëzakonisht i dashur me të gjithë. Adhuronte të punonte në kolegj”, thotë ai./tvklan.al