Emri/ Vrau 21-vjeçaren, burgim përjetë shqiptarit në Suedi


Emri/ Vrau 21-vjeçaren, burgim përjetë shqiptarit në Suedi

18:32 07/02/2018

Një 36-vjeçar shqiptar është dënuar me burgim të përjetshëm në Suedi për vrasjen e thjeshtrës së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 21 Maj 2017, ndërsa në Nëntor 2017 një gjykatë suedeze e dënoi atë me 18 vite burg. Tani, Gjykata e Apelit në Suedinë Perëndimore ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar me burgim të përjetshëm 36-vjeçarin Durim Lumi.

Në Maj 2017, shqiptari qëlloi me sëpatë në kokë vajzën 21-vjeçare të bashkëshortes, pas një konflikti që pati me të. Edhe pse vajza ishte gjallë dhe mbeti e plagosur rëndë, Durim Lumi nuk lejoi të ëmën dhe motrën e 21-vjeçares që ta ndihmonin. Adoleshentja u dërgua me vonesë në spital dhe ndërroi jetë pas disa ditësh.

Prokurori i çështjes e konsideroi krimin si “ekzekutim të pastër” dhe dënimi me burgim të përjetshëm, sipas tij, është i drejtë.

“Ai e bëri me synimin për ta vrarë. Mendoj se ky është një ekzekutim i pastër dhe ai mendonte vetëm për ta vrarë”

, tha prokurori Svensson.

Ndërsa Gjykata e Apelit dha këtë argumentim për dënimin me burgim të përjetshëm:

“Dhuna ishte shumë brutale dhe Durim Lumi u tregua shumë mizor përmes veprimeve të tij”.

Përveç burgimit të përjetshëm, 36-vjeçari është dënuar edhe me 172 mijë Euro gjobë për dëmet që i ka shkaktuar familjes së viktimës dhe dëbim nga vendi. Shqiptari Durim Lumi ka qenë më parë i dënuar për vrasje në Greqi në fillim të viteve 2000.

/tvklan.al






Të ngjashme