Ende rëndë shqiptari i djegur në Greqi


Ende rëndë shqiptari i djegur në Greqi

19:30 26/07/2018

Në ditën e tretë të tragjedisë që shkaktoi zjarri apokaliptik në rajonin e Atikës, në Greqi, vetëm një shtetas shqiptar ka mbetur në spital.

Bëhet fjalë për 60-vjeçarin Viktor Cenko, me origjinë nga Narta, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit Evangjelismos në Athinë. Ai ka djegie të shkallës së tretë në mbi 85% të trupit. E kontaktuar nga Televizioni Klan, Ambasada Shqiptare në Athinë konfirmoi se 5 shqiptarët e tjerë që po merrnin ndihmë mjekësore kanë lënë spitalin. Nuk ka ende konfirmim zyrtar për dy gra që rezultojnë të zhdukura.

Me kalimin e orëve bilanci i viktimave sa vjen e rritet. Zyrtarisht numërohen 84 viktima, rreth 200 të lënduar, ndërsa qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. 11 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore, në spitalet e Athinës. Një tjetër trup i shkrumbuar u gjet në oborrin ku u gjetën 26 trupa të karbonizuar, të përqafuar me njëri-tjetrin. Ekipet e emergjencave janë ende në garë me kohën, për gjetjen e të zhdukurve, por shpresat mbeten të pakta.

Në një vizitë në fshatin Mati, Ministri i Brendshëm grek Panos Kamenos u përball me zemëratën e banorëve, për reagimin e ngadaltë të shtetit dhe mungesën e një plani emergjence.

"Na latë të digjemi, na latë në mëshirën e Perëndisë. Pse nuk u be evakuimi?"

"Ne latë vetëm, nuk ishte askush. Na thanë hidhuni në det të shpëtohemi. Si të hidheshin të moshuarit?"

Nga ana e tij Kammenos premtoi se nisur nga situata që u krijua qeveria do të hapë rrugë në të ardhmen që për çdo rast banorët të kenë qasje në bregdet.

Ende e pa rimëkëmbur nga gërmadhat që la zjarri masiv, Greqia po përballet me një tjetër katastrofë, atë të stuhisë së shirave që kanë pushtuar rajoni i Atikës.

Makina të mbuluara nga balta dhe rrugë të kthyer në lumenj, është kjo situata emergjente që mban sërish në alarm ekipet e emergjencave.

Për më tepër ditën e enjte u raportua edhe një tërmet në zonë me magnitudë 4.4 ballë. Autoritetet mbeten në ankth pasi zonat e shkatërruara nga zjarri mund të përmbyten, e për pasojë mbledhja e viktimave bëhet edhe më e vështirë.

Tv Klan





Të ngjashme