Engell takon partitë e vogla – (4 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Përfaqësuesit e Diasporës Shqiptaro-Amerikane kanë kaluar një mbrëmje të paharruar me politikanët shqiptarë në Bar-Restorant Piaza. Në këtë darkë kanë qenë të pranishëm Majko e Pollo por kanë munguar Nano e Berisha. Sot kongresmeni shqiptaro-amerikan Eliot Engel, sëbashku me biznesmenët Antonio Athanas, Ekrem Bardha si dhe përfaqësues të tjerë shqiptaro-amerikan kanë ulur në një tryezë të përbashkët partitë e vogla shqiptare të pozitës dhe opozitës.
Ideja e krijimit të një grupimi të tretë politik për të neutralizuar binomin PS-PD, nuk ka gjetur përkrahje nga të gjithë të pranishmit. Madje është kaluar në akuza reciproke. Të djathtët e vegjël kanë akuzuar qeverinë për kontrabandë, korrupsion dhe mbështetje të kriminelëve. Ata kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme politike të besueshme e të lira nën vëzhgimin e komunitetit ndërkombëtar.
Kongresmeni shqiptaro-amerikan Eliot Engel ka zhvilluar sot takime të veçanta me liderin demokrat Berisha në selinë e Partisë Demokratike dhe në mesditë në hotel Tirana me nënkryetarin demokrat Genc Pollo, kandidati i dytë për kryetar të PD, në Kuvendin Kombëtar që kjo parti do të zhvilloj në fund të muajit./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame