Enver Hoxha, 100 vjetori
Autori: Blendi Fevziu
22:43 16/10/2008Opinion-Pas një izolimi 46-vjeçar nga komunizmi, Shqipëria po dilte befas përpara kufijve të botës dhe po kuptonte se jeta që kishte bërë kishte qenë e tmerrshme, nën terror dhe nën varfëri absolute. E gjithë kjo nga vepra e një njeriu, Enver Hoxhës, një prej diktatorëve më të tmerrshëm të Europës Lindore. Ai ndërtoi një perandori të tijën, por një perandori të vuajtjes, dhimbjes dhe trishtimit. Më 16 Tetor të 2008-s, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së tij, gazetari Blendi Fevziu realizoi një emision lidhur me qeverisjen e Enver Hoxhës dhe veprën që ai la pas.
Më 17 Nëntor 1944, Tirana ishte më në fund e lirë. Enver Hoxha ishte vetëshpallur lider unik i vendit dhe kishte eliminuar nga gjiri i partisë të gjithë ata që mund t’i zinin rrugën. Rreth vetes kishte vetëm njerëz të besuar, të cilët ishin vendosur në shërbim të ambicieve të tij. S’kishte kompromise, aleanca apo opozitë, pushteti i tij ishte absolut.
Amerikanët dhe anglezët ishin nga njëra anë, sovjetikët nga ana tjetër. Aleatët e djeshëm pyesnin veten se si do të shkonte filli i Shqipërisë. Pas luftës numëroheshin 28 mijë të vdekur, por pas Çlirimit, lufta civile numëronte 3 herë më shumë. E vetmja forcë politike e organizuar në shkallë kombëtare futi popullin në lëvizjen e rikonstruktimit dhe kolektivizimit.
Ata që e dënonin, akuzoheshin si agjentë të imperializmit të huaj e tradhtarë të atdheut. Mijëra arrestime dhe të gjithë ishin të dyshuar. Policia ishte politike dhe gjykimet bëheshin pa mbrojtje. Bëheshin ekzekutime barbare në vende publike dhe filmoheshin e transmetoheshin për të mbjellë terror. Një shqiptar në 10 pushkatohej, pa numëruar të burgosurit.
Në kupën qiellore shqiptare kishte tre hyjni, Hoxha, Stalini dhe Tito.
Pa Titon, Enver Hoxha nuk do të ishte ai që njohim sot. Frika e Hoxhës për aneksimin e Shqipërisë nga Tito e bëri që të firmosë në Sofje marrëveshjen e sugjeruar nga Stalini. Por rrezikun më të madh e kishte fare pranë. Gjenerali Koçi Xoxe ishte konsideruar i shitur tek jugosllavët. Me ndihmën e Titos, Xoxe do t’i zinte vendin Enver Hoxhës. Por në Moskë planet e Stalinit kishin ndryshuar, Enver Hoxha shkon atje pa Koçi Xoxen, ai ishte akuzuar për tradhti ndaj atdheut dhe ishte ekzekutuar. Hoxha zgjedh Mehmet Shehun si anti-jugosllav. Befas për 30 vjet, ai bëhet numri 2 i regjimit.
Në çeljen e Kongresit të 21 në Moskë, lufta për lidership mes Moskës dhe Pekinit përçau bllokun komunist. Enver Hoxha i rrethuar nga Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo denoncuan politikën imperialiste të Moskës dhe mbështetën linjën politike të përcaktuar nga Pekini. Dhe si pas çdo ndryshimi ideologjik duheshin gjetur fajtorët. Teme Sejko, Admiral i Flotës Shqiptare u shpall fajtor. Sëbashku me familjen, ai pushkatohet dhe disa prej tyre vrasin veten.
Burgje dhe bunkerë, kjo ishte Shqipëria.
700 mijë bunkerë anembanë vendit dhe rreth e rrotull tela me gjemba. Beqir Balluku nuk ishte dakord me ideologjinë e Enver Hoxhës. Ai mendonte se zbori ishte jashtë mode dhe pa efekt. Por çdo kundërshtar sado i afërt, ishte tradhtar. Ai u ekzekutua sëbashku me shumë oficerë të tjerë, pa varr dhe pa kufomë.
Klani i pushtetarëve sa vinte dhe ngushtohej, kishin mbetur vetëm 3: Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Më 1979 Hysni Kapo vdes në rrethana misterioze. Flitej për helmim. Kishin mbetur vetëm dy, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, i cili dukej i sigurt se do të ishte pasardhësi i tij. Por Hoxha kishte zgjedhur një fat tjetër për mikun e tij. Në 1981-shin në gazetë ishte shkruar me gërma të vogla për vetëvrasjen e tij.
Enver Hoxha gjendej i vetëm me hijet e së shkuarës. Në Janar të 85-s, Ramiz Alia ishte servili më i nevojshëm i Enver Hoxhës, i cili pas vdekjes së tij zuri vendin e diktatorit. Në ato vite, diktatura komuniste po binte, por në Shqipëri u deshën edhe 6 vite të tjera për të mposhtur frikën dhe më në fund Shqipëria doli nga bunkeri. / tvklan.al