Eqerem Spahia intervistë për ecurinë e procesit (13 Nëntor 1999)
Partisë Lëvizja e Legalitetit nuk po i ndahen proceset gjyqësore. Përveç Abedin Mulosmanit, Leka I, këtij vargu i bashkangjitet dhe Eqerem Spahia i akuzuar për kryengritje të armatosur. Për më shumë se dy javë të shkuara grupi i parë i të gjykuarve për ngjarjet e 14 Shtatorit, ndiqet në gjendje të lirë. Kryetari i Partisë Eqerem Spahia nuk sheh ndryshim në ecurinë e këtij procesi dhe për fatin e tij politik ai shprehet për TV Klan.
Eqerem Spahia: Disa procese politike që as nuk janë mbyllur dhe as nuk janë tërhequr nga akuzat e tyre, po janë pezull të gjitha. Duke filluar që nga ngjarjet e Shkodrës, që nga ngjarjet e Milotit, ngjarjet e Urës Vajgurore ndaj 6 ish funksionarëve të lartë të PD-së dhe qeverisjes demokratike, po ashtu dhe 14 Shtatorit. Të akuzohesh për kryengritje të armatosur aq më tepër unë si organizator i saj dhe mos të jem ne burg, kjo tregon që nuk ekziston një akuzë e tillë. Dhe ne ndodhemi në arrest shtëpiak vetëm për të mbajtur pezull këtë akuzë sepse kjo akuzë gjatë gjithë seancave gjyqësore nuk është provuar në asnjë element të kryengritjes së armatosur. Vetë thirrja si dëshmitarë e 485 dëshmitarëve tregon se kjo do të kishte një zgjatje shumë dhe këto janë dëshmitarë të organit të akuzës. Dhe tërheqja nga dëshmitarët e organit të akuzës tregon dështimin e kësaj akuze dhe akoma jemi në fazën e provave të sjella nga organi i Prokurorisë dhe po këto prova janë të kontestueshme nga ekspertët që vijnë për të dëshmuar në sallën e gjyqit./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti