Erdogan nuk tërhiqet, protesta në Stamboll e qytete të tjera
Erdogan nuk tërhiqet, protesta në Stamboll e qytete të tjera
Shpërndaje
12:37 28/12/2013Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan u tha mbështetësve të tij në një tubim në sheshin pranë aeroportit të Stambollit, se nuk ka ndërmend të dorëhiqet dhe se është i vendosur të vazhdojë atë që konsiderohet si sfida më e madhe në 11 vite të qeverisjes së tij. Këtu ai i referohet skandalit të korrupsionit që ka përfshirë administratën e tij, pasi prokurorët turq lëshuan urdhërarreste për dhjetëra punonjës të administratës, në kuadër të hetimeve për korrupsion.
Edhe një herë Erdogan i quajti hetimet, si një fushatë shpifjesh dhe u kërkoi mbështetësve të votojnë masivisht partinë e tij në zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm.
E teksa Erdogan u fliste mbështetësve në aeroport, në qendër të Stambollit qindra protestues kërkuan dorëheqjen e tij.
Manifestimet precipituan në dhunë, pasi policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës dhe kamionë ujëhedhës. Protestuesit këndonin në kor “Kapeni Hajdutin”, duke iu referuar kryeministrit. Skandali i korrupsionit ka ndikuar në rënien e vazhdueshme të monedhës vendase ndaj dollarit, e cila ditët e fundit po shënon rekorde në zhvlerësim.