Erdogan: SHBA të mos strehojë një terrorist si Guleni
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të strehojnë një terrorist” siç është kleriku turk, Fethullah Gulen.
Turqia e fajëson Gulenin për përpjekjen për grusht-shteti, në muajin korrik. Gulen, i cili jeton në Pensilvani që nga viti 1999, ka mohuar çdo përfshirje.
Uashingtoni ka thënë se do ta ekstradojë atë nëse Turqia sjell prova kundër Gulenit. “Nëse SHBA është aleati ynë strategjik dhe partneri ynë në NATO, atëherë nuk duhet të lejojë një terrorist si Guleni të drejtojë organizatën e tij”, tha Erdogan në një intervistë për agjencinë Reuters.
Ai po ashtu foli edhe për Sirinë dhe tha se paqja e qëndrueshme atje nuk mund të arrihet pa largimin e presidentit Bashar al-Assad nga pushteti.
“E ardhmja e Sirisë duhet të përcaktohet nga populli i saj. Përse ky vrasës (Assadi) mbështetet nga disa shtete? Assadi nuk mund të jetë pjesë e ndonjë periudhe të tranzicionit. Bota duhet të gjejë zgjidhje që nuk e përfshin atë”, tha Erdogan.
Irani dhe Rusia janë aleatët kryesorë të Assadit dhe kanë qëndruar pranë tij që kur ka nisur kryengritja anti-regjim në vitin 2011.
/tvklan.al