Erdogan shpërbën gardën presidenciale
Garda Presidenciale në Turqi do të shpërbëhet pasi Recep Tayyip Erdogan vazhdon me forcimin e kontrollit në vend, pas tentativës për grusht shteti . Rreth 300 anëtarë të gardës janë arrestuar pas ngjarjeve të 15 Korrikut. Qeveria tani mendon se nuk ka nevojë për regjimentin.
Presidenti turk thotë se më shumë se 13 mijë persona janë dërguar në paraburgim pas kryengritjes së dështuar. Nën gjendjen e emergjencës, të dyshuarit mund të mbahen më shumë se 30 ditë paraburgim.
Autoritetet turke kanë ndaluar nipin e Fetullah Gylen, imamin që Ankaraja e akuzon se ka organizuar grushtin e shtetit.
Nipi Muhamed Sait Gylen, u arrestua në veri të qytetit Erzurum dhe do të dërgohet në kryeqytet për t’u marrë në pyetje, raporton agjencia shtetërore e lajmeve, Anadollu.
“Rreth akuzave të mundshme që mund të ngrihen kundër tij është pjesëmarrja në një organizatë terroriste”, shkruan agjencia.
Është hera e parë që një i afërm i Gylen është ndaluar që pas dështimit të grushtit të shtetit. Imami ka mohuar çdo lidhje në përpjekjen për rrëzimin e pushtetit në të cilin qindra persona kanë humbur jetën.
Erdogan urdhëroi mbylljen e mijërave shkollave private, organizatave bamirëse dhe shumë institucioneve të tjera.
Një lëvizje e tillë ka ngritur shqetësimin e shumë grupimeve për të drejtat e njeriut në vendet perëndimore. Mijëra punonjës janë pushuar ose u është hequr e drejta për të ushtruar profesionin e tyre.
Erdogan mohon akuzat që liria dhe të drejtat janë cënuar në Turqi dhe ka bërë thirrje mbështetësve që të dalin në rrugë në demostrata për të mbrojtur demokracinë.
Tv Klan